Dhuna dhe lidhja ndaj një studenti te kangjellat nga policia gjatë protestës së zhvilluar ditën e djeshme rikthen në vëmendje standardet e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut për trajtimin e personave nga autoritetet shtetërore.
Në një reagim në rrjetet sociale avokati Ledio Braho ka sjellë në vëmendje një precedent të Strasburgut, sipas të cilit mënyra e prangosjes dhe ekspozimi publik i një personi mund të cenojnë dinjitetin njerëzor dhe të përbëjnë trajtim poshtërues.
Neni 3 i KEDNj-së vendos një standard themelor për mënyrën se si shteti duhet të trajtojë çdo person.
Përdorimi i masave shtrënguese nuk i përjashton autoritetet nga detyrimi për të respektuar dinjitetin njerëzor, ndërsa vlerësimi nëse një veprim përbën trajtim poshtërues varet nga rrethanat konkrete dhe nga pragu i ashpërsisë i përcaktuar nga jurisprudenca e Strasburgut.
Reagimi i Brahos:
Ja si shprehet GjEDNj qe ne vitin 2008 ne ceshtjen ARCHIP v. ROMANIA per prangosjen ne publik te nje qytetari protestues kur ka konstatuar shkeljen e nenit 3 te KEDNj qe parashikon se “Askush nuk mund t’i nënshtrohet torturës ose dënimeve ose trajtimeve çnjerëzore ose poshtëruese”:
“Në rastin konkret, Gjykata vlerëson se mënyra se si ankuesi u prangos pas një druri në oborrin e stacionit të policisë, që ndodhej në qendër të fshatit dhe rrjedhimisht ishte i dukshëm për publikun, mund të ngjallte tek ai ndjenja ankthi dhe inferioriteti, të cilat kishin potencialin ta poshtëronin dhe ta cenonin dinjitetin e tij përtej kufijve të arsyeshëm. Për më tepër, shtypi dhe televizioni lokal – të njoftuar për incidentin nga një banor që e kishte parë ankuesin të prangosur – ishin të pranishëm dhe po e fotografonin, duke e shtuar kështu ndjenjën e poshtërimit të ankuesit”
Lexo edhe
Bilanci pas protestës: 6 persona vijojnë trajtimin në Traumë, një protestues do të operohet
Protesta zgjerohet në Tiranë. Studentët e Mjekësisë bojkotojnë mësimin, marshojnë drejt qendrës














