Advertisement

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka sulmuar mazhorancën pas miratimit të reformës territoriale në Kuvend, duke akuzuar deputetët socialistë se kanë votuar kundër interesave të qytetarëve të 15 bashkive që parashikohet të shkrihen.

Në një reagim, Berisha e cilësoi votimin si një akt kundër qytetarëve dhe komuniteteve vendore, ndërsa përdori tone të ashpra ndaj deputetëve që mbështetën ndryshimet.

Reklame

“Deputetët e partisë së krimit, në unison, shkelmuan interesat e zgjedhësve të tyre”, deklaroi Berisha.

Sipas tij, reforma territoriale është një nga vendimmarrjet më të rëndësishme për qeverisjen vendore, pasi prek drejtpërdrejt mënyrën se si komunitetet administrojnë territorin, zhvillimin dhe trashëgiminë e tyre kulturore.

Berisha: Bashkitë janë investitorë kryesorë në komunitete

Kreu i PD-së argumentoi se njësitë e qeverisjes vendore kanë rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik dhe social të zonave, në ruajtjen e identitetit lokal dhe në mbrojtjen e trashëgimisë historike e kulturore.

“Për Shqipërinë, një vend me nevojë jetike për zhvillim, njësitë e qeverisjes vendore janë investitorë kryesorë në zonat e komuniteteve”, u shpreh Berisha.

Ai akuzoi gjithashtu deputetët e mazhorancës se kanë vepruar në kundërshtim me interesat e zgjedhësve të tyre, ndërsa kundërshtimi i reformës territoriale mbetet një nga çështjet kryesore të përplasjes politike mes opozitës dhe qeverisë.

Reforma e miratuar në Kuvend parashikon uljen e numrit të bashkive në Shqipëri nga 61 në 46, me 15 bashki që do të shkrihen në kuadër të riorganizimit territorial.

Lexo edhe

Përplasja në Kuvend/ Klosi: S’do merrni asnjë bashki në zgjedhje. Berisha: Ta ka blerë bixhozi votën

Reforma Territoriale ndez Kuvendin dhe rrugët e Tiranës: Ultimatumi i Ramës, përplasjet Berisha-Klosi dhe protestuesit nën sprej

Reklame