Tuneli i Krrabës do të funksionojë me vetëm njërin nga tubat gjatë orëve të natës, për një periudhë deri në 20 ditë, për shkak të punimeve të mirëmbajtjes.
Autoriteti Rrugor Shqiptar ka njoftuar nisjen e punimeve për pastrimin e mureve dhe pajisjeve të Tunelit të Krrabës, të cilat do të zhvillohen duke filluar nga e mërkura, 7 tetor.
Punimet do të kryhen gjatë intervalit 21:00–06:00, kohë gjatë së cilës qarkullimi në tunel do të realizohet vetëm përmes njërit tub, me lëvizjen e automjeteve në të dyja drejtimet.
Ndërhyrja do të nisë në tubin e drejtimit Elbasan–Tiranë, ndërsa tubi në drejtimin Tiranë–Elbasan do të përdoret për qarkullimin e mjeteve në të dyja drejtimet.
Kufizimi do të jetë vetëm gjatë orëve të natës. Nga 06:00 deri në 21:00, të dy tubat e tunelit do të jenë në funksion dhe qarkullimi do të vijojë normalisht.
Ndërhyrja pritet të përfundojë brenda një periudhe maksimale prej 20 ditësh, pas së cilës qarkullimi në të dyja tubat do të rikthehet sipas regjimit normal.
Lexo edhe
Zgjaten me 3 muaj hetimet për dosjen e tunelit të Llogarasë dhe Lotit 4 të Unazës së Madhe














