NEW YORK – Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas protestës së zhvilluar gjatë vizitës së tij në New York, ku disa protestues shqiptarë e kanë qëlluar me vezë dhe kanë bërë thirrje kundër qeverisë.
Në një reagim të gjatë në platformën X, Rama u është përgjigjur protestuesve duke përdorur një gjuhë të ashpër, ndërsa e ka lidhur debatin me luftën kundër korrupsionit dhe integrimin europian të Shqipërisë.“Këtyre që mbulohen me flamurin kombëtar dhe çarten rrugëve si pula histerike, u them vetëm se atë flamur e kam ngritur më lart se çka qenë kurrë ndonjëherë në sytë e botës”, shkruan Rama.
Kryeministri thotë se nuk do të ndalet nga protestat dhe akuzat me korrupsion, duke e cilësuar procesin e integrimit europian si një nga misionet e tij politike.“Atyre që kujtojnë se do më ndalin me baltë, vezë dhe jargë, në misionin tim për ta çuar flamurin tonë në majën e Europës së Bashkuar, u them se nëse për herë të parë në historinë e shtetit shqiptar, kemi një sistem institucional që shfaq aftësi vetëpastrimi, kjo është një arritje e madhe”, shprehet ai.
Në pjesën tjetër të reagimit, Rama është ndalur te akuzat për korrupsion dhe te funksionimi i institucioneve të drejtësisë.
Sipas kryeministrit, Shqipëria e sotme nuk është më vendi që ai e përshkruan si të zhytur në korrupsion, ndërsa ia atribuon qeverisë së tij dhe Partisë Socialiste ndryshimin e sistemit të drejtësisë.“Në një vend që është i mbytur në kënetën e korrupsionit, nuk ka luftë frontale e as rezultate konkrete kundër korrupsionit dhe atë vend e kemi jetuar ne, që të gjithë, deri kur unë me partinë time e kthyem rrotën e drejtësisë nga barazia e të gjithëve para ligjit!”, shkruan Rama.
Ai pretendon gjithashtu se progresi në luftën kundër korrupsionit ka ndikuar në vlerësimin që Bashkimi Europian i bën Shqipërisë.“Sot Shqipëria nuk është më ai vend e prandaj edhe Bashkimi Europian e çmon gjithnjë e më shumë Shqipërinë për këtë luftë”, shprehet kryeministri.
Në fund të reagimit, Rama rikthehet te protestuesit dhe kundërshtarët e tij, duke përdorur një tjetër seri metaforash dhe ironish.“Pulat histerike të katundit tonë kakarisin e hedhin vezë në ajër për llogari të gjelave tallagjarë të pazarit politik e mediatik”, shkruan Rama.
Ai i referohet gjithashtu akuzave të vazhdueshme për korrupsion, duke thënë se ato nuk do ta ndalin në rrugën që ka zgjedhur.
Reagimi i kryeministrit vjen pasi gjatë vizitës së tij në New York, ku ndodhet për angazhimet në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, protestues shqiptarë hodhën vezë në drejtim të tij dhe bënë thirrje kundër kryeministrit.
Lexo edhe:
“PËRPLASJE” ME DIASPORËN, Rama pritet me vezë nga protestuesit shqiptarë në Nju Jork
Rama shkarkoi kreun e SHISH, Bardhi: Zgjidhja është dorëheqja dhe ndjekja penale e kryeministrit














