Policia e Durrësit ka goditur një rast të dyshuar të trafikimit ndërkombëtar të lëndëve narkotike, duke sekuestruar rreth 80 kilogramë kanabis që dyshohet se ishte trafikuar nga Kanadaja drejt Shqipërisë.
Operacioni është zhvilluar në Portin e Durrësit, ku lënda narkotike është zbuluar gjatë kontrolleve, me ndihmën e qenve antidrogë.
Në kuadër të operacionit të koduar “Anchor”, janë arrestuar tre shtetas nga Kosova: Taulant Duraku, 32 vjeç, Luan Gashi, 26 vjeç dhe Besfort Jaka, 40 vjeç.
Ndërkohë, dy persona të tjerë janë shpallur në kërkim. Bëhet fjalë për një shtetas nga Kukësi dhe një tjetër me origjinë nga Kosova, i cili banon në Ontario të Kanadasë.
Kanabisi ishte ndarë në 127 pako
Sipas Policisë së Durrësit, lënda narkotike ishte e ndarë në 127 pako dhe i përkiste llojit “Gelato”, me përmbajtje të lartë THC.
Vlera e saj në tregun e paligjshëm përllogaritet në rreth 1 milion euro.
Nga hetimet dyshohet se kanabisi sigurohej në Ontario, Kanada, dhe transportohej drejt Shqipërisë i fshehur në një hapësirë të posaçme të modifikuar në një automjet të porositur për blerje në Kanada.
Pas mbërritjes në Shqipëri, lënda narkotike dyshohet se do të shpërndahej në territorin shqiptar dhe më tej në Kosovë.
Sekuestrohen edhe automjete dhe para
Përveç 80 kilogramëve kanabis, gjatë operacionit janë sekuestruar edhe:
- 3 automjete;
- 5 aparate celularë;
- rreth 11 mijë euro cash.
Policia thotë se personat e përfshirë dyshohet se kishin role të përcaktuara në sigurimin, fshehjen, transportimin dhe shpërndarjen e lëndës narkotike.
Tre personat e arrestuar akuzohen për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, të parashikuar nga neni 283/a i Kodit Penal.
Hetimet vijojnë për personat e tjerë
Operacioni është zhvilluar nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve në DVP Durrës, në bashkëpunim me strukturat e Kufirit dhe Migracionit, Forcën e Posaçme Operacionale, autoritetet doganore dhe Prokurorinë.
Dy personat e shpallur në kërkim janë H. C., lindur dhe banues në Kukës, dhe G. O., lindur në Kosovë dhe banues në Ontario, Kanada.
Policia dhe Prokuroria vijojnë hetimet për lokalizimin dhe kapjen e tyre, si dhe për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë në skemën e dyshuar të trafikimit.
Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Lexo edhe:
Bashkia e Durrësit është një 5D e madhe publike, por që çuditërisht nuk e prek askush
Aksident tragjik në Durrës, 32-vjeçari humb jetën, përplaset nga një automjet













