Detaje të reja kanë dalë nga hetimet për zhdukjen misterioze të 34-vjeçarit Eglant Koçi.
Në një video të sekuestruar nga Policia e Shtetit, shfaqet Armand Shakaj, i njohur me nofkën “Mand Dhelpra”, duke fshehur motorin që përdorte Eglant Koçi para se të humbte gjurmët.
Pamjet konsiderohen një provë e rëndësishme për hetimin dhe përforcojnë dyshimet e grupit hetimor se Shakaj mund të ketë pasur rol kyç në ngjarje. Sipas hetuesve, ai dyshohet se ka mbajtur peng 34-vjeçarin, i cili prej ditësh rezulton i zhdukur.
Ndërkohë, policia ka arrestuar Enea Zyferi, i cili akuzohet për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”. Sipas hetimeve, Zyferi dyshohet se ka ndihmuar Armand Shakajn pas ngjarjes.
Gjatë operacionit hetimor janë sekuestruar si prova materiale automjeti me të cilin dyshohet se është transportuar Koçi, si dhe motori i tij, i cili rezulton të jetë lëvizur nga vendi ku ishte parkuar fillimisht.
Policia ka identifikuar gjithashtu ambientin ku 34-vjeçari dyshohet se ka hyrë pak para zhdukjes, si dhe personat me të cilët ai ka pasur kontakte në momentet e fundit para se të humbte gjurmët.
Ndërsa kërkimet për gjetjen e Eglant Koçit vijojnë, autoritetet po punojnë paralelisht për lokalizimin dhe arrestimin e Armand Shakajt, i cili mbetet personi më i kërkuar në këtë dosje.














