Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka reaguar pas raportimeve të medias europiane Euractiv mbi deklaratat e tij për marrëveshjen mes Albania dhe Italy për qendrat e emigrantëve në Gjadër.

Sipas raportimit të Euractiv, Hoxha ishte shprehur se marrëveshja nuk do të zgjatet pas vitit 2030, kur përfundon edhe afati pesëvjeçar i protokollit mes dy vendeve. Por kryediplomati shqiptar ka sqaruar se deklarata e tij është keqinterpretuar dhe nxjerrë jashtë kontekstit.

Reklame

Në një reagim në rrjetet sociale, Hoxha shpjegon se gjatë një bisede me një gazetar në Bruksel është pyetur nëse protokolli do të rinovohej pas përfundimit të periudhës fillestare pesëvjeçare.

“Unë iu përgjigja duke thënë: ‘Nuk jam i sigurt, duke supozuar se deri atëherë Shqipëria do të jetë një shtet anëtar i Bashkimit Europian dhe situata, për rrjedhojë, do të jetë ndryshe’”, shkruan Hoxha.

Sipas tij, deklarata nuk përfaqësonte një vendim politik apo ndryshim të qëndrimit të qeverisë shqiptare, por vetëm “një reflektim të çastit, të shprehur me sinqeritet dhe spontanitet”.

“Kjo deklaratë nuk duhet në asnjë mënyrë të interpretohet si një ndryshim i qëndrimit të Shqipërisë në lidhje me protokollin”, thekson ministri.

Sqarimi i ministrit është mbështetur edhe nga kryeministri Edi Rama, i cili ka akuzuar median europiane për citim të pasaktë të deklaratës së Hoxhës.

Në reagimin e tij, Rama ritheksoi se marrëveshja për qendrat e emigrantëve në Gjadër do të vijojë të mbetet në fuqi.

“Protokolli ynë me Italinë do të mbetet në fuqi, për aq kohë sa Italia ta dëshirojë këtë”, shkroi Rama.

MARRËVESHJA PËR GJADRIN/ Rama për deklaratën e Ministrit

Reklame