Protesta kombëtare e 28 Nëntorit në Tiranë është përshkallëzuar, duke sjellë përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë. Molotovi i parë është hedhur në drejtim të Ministrisë së Infrastrukturës, ndërsa më vonë tensionet janë zhvendosur para Kryeministrisë.
Gjatë tubimit janë ndezur flakadanë, ndërsa disa protestues kanë hedhur gurë dhe shkopinj në drejtim të godinave të ministrive. Në shesh janë dëgjuar thirrje dhe brohoritje nga qytetarët e mbledhur në kryeqytet.
Në protestë janë bashkuar qytetarë nga qytete të ndryshme të Shqipërisë, si dhe pjesëtarë të diasporës. Ata kërkojnë ndryshime politike dhe largimin e qeverisë.
Përplasje para Kryeministrisë, policia përdor gaz lotsjellës dhe ujë me presion
Situata është tensionuar më tej para godinës së Kryeministrisë, ku policia ka ndërhyrë për shpërndarjen e turmës me gaz lotsjellës dhe ujë me presion.
Protestuesit kanë reaguar duke hedhur molotovë në drejtim të forcave të rendit. Në terren janë angazhuar forca të shumta policore dhe efektivë të FNSH-së.
Ndërkohë, sipas raportimeve nga protesta, policia ka marrë urdhër për të përdorur edhe plumba gome ndaj turmës. Ky informacion kërkon konfirmim zyrtar nga autoritetet.
Raportohet një qytetar i lënduar, kërkohet ndërhyrja e ambulancës
Përplasjet kanë sjellë edhe persona të lënduar. Një qytetar dyshohet se është prekur nga gazi lotsjellës i përdorur nga policia gjatë ndërhyrjes për shpërndarjen e protestuesve.
Në pamjet nga vendngjarja, një person shihet i shtrirë në tokë, ndërsa qytetarët përreth kërkojnë mbërritjen e ambulancës për t’i dhënë ndihmën e nevojshme.
Deri në këto momente nuk ka informacion të konfirmuar për gjendjen shëndetësore të tij.
Protesta e 28 Nëntorit, e cila ka mbledhur qytetarë nga Shqipëria dhe diaspora, vijon të shoqërohet me tensione të forta në kryeqytet.
Lexo edhe
Parisi nën tension nga protestat studentore, pema e Krishtlindjes digjet në mes të demonstratës
Nga Shqipëria dhe diaspora në shesh! Qindra qytetarë i bashkohen protestës së madhe në Tiranë













