Anija luksoze e kroçerës MV Hondius, e përfshirë nga një shpërthim i hantavirusit, u nis të hënën nga ishulli spanjoll Tenerife drejt Holandë, pasi gjashtë pasagjerët e fundit dhe disa anëtarë të ekuipazhit u evakuuan nga bordi.
Anija, e specializuar për ekspedita polare, transportonte katër australianë, një britanik që jeton në Australi dhe një shtetas të Zelandës së Re. Ajo ndaloi përkohësisht në portin e Granadilla de Abona, ku zbritën pasagjerët, 19 anëtarë ekuipazhi dhe dy mjekë. Më pas, kroçera vijoi lundrimin drejt Holandës me 25 anëtarë ekuipazhi, një mjek dhe një infermier në bord.
Sipas autoriteteve holandeze, pasagjerët dhe stafi i evakuuar u transferuan me autobusë drejt aeroportit lokal në Tenerife dhe më pas me avionë drejt Holandës. Ekuipazhi do të përfundojë karantinën atje, ndërsa pasagjerët australianë pritet të vijojnë udhëtimin drejt Australisë, ku do të përcaktohet edhe mënyra e izolimit të tyre.
Ministrja spanjolle e Shëndetësisë, Monica Garcia, deklaroi se operacioni kishte përfunduar me sukses.
Shpërthimi i virusit në bord ka shkaktuar deri tani tre viktima: një çift holandez dhe një shtetas gjerman. Hantavirusi zakonisht transmetohet nga brejtësit e egër, por në raste të rralla mund të kalojë edhe nga personi te personi përmes kontaktit të afërt.
OBSH: Disa pasagjerë përjetuan krizë mendore
Drejtori i përgjithshëm i Organizata Botërore e Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, deklaroi se disa pasagjerë kishin përjetuar krizë mendore për shkak të izolimit të zgjatur në anije.
“Është shumë e vështirë të qëndrosh për javë të tëra në një hapësirë të vogël. Ky ishte opsioni më i mirë dhe i vetmi që kishim”, tha Tedros gjatë një konference për shtyp në Tenerife.
Edhe kapiteni i anijes, Jan Dobrogowski, vlerësoi sjelljen e pasagjerëve dhe ekuipazhit gjatë situatës së vështirë.
Shtohen rastet pozitive me variantin Andes
OBSH bëri të ditur se deri tani janë konfirmuar shtatë raste me variantin Andes të hantavirusit dhe dy raste të tjera të dyshuara.
Mes rasteve të konfirmuara është edhe një pasagjere franceze, gjendja e së cilës është përkeqësuar, sipas ministres franceze të Shëndetësisë, Stephanie Rist.
Autoritetet spanjolle njoftuan gjithashtu se një nga 14 personat në karantinë në një spital ushtarak në Madrid ka rezultuar pozitiv, ndonëse pa simptoma.
Edhe autoritetet amerikane raportuan se një nga 17 amerikanët e riatdhesuar kishte rezultuar lehtësisht pozitiv për variantin Andes, ndërsa një tjetër kishte simptoma të lehta.
Autoritetet: Rreziku për publikun mbetet i ulët
Ekspertët e shëndetit publik kanë bërë thirrje për qetësi, duke theksuar se hantavirusi nuk përhapet lehtësisht mes njerëzve dhe se rreziku për publikun e gjerë mbetet i ulët.
“Nuk presim një pandemi të re nga kjo”, deklaroi Gianfranco Spiteri.
Në momentin kur u raportuan rastet e para më 2 maj, në bord ndodheshin 147 pasagjerë dhe anëtarë ekuipazhi nga 23 vende të ndryshme./ Marre nga Reuters.















