Banorët e fshatit Gjoricë kanë ngritur sërish zërin kundër projektit për ndërtimin e paneleve fotovoltaike në zonë, duke denoncuar se po u merren kullotat që përdorin prej vitesh për blegtorinë dhe mbijetesën ekonomike.

Sipas tyre, projekti rrezikon drejtpërdrejt jetesën e komunitetit, pasi sipërfaqet e planifikuara për t’u dhënë me qira përfshijnë pothuajse të gjithë kullotën nga e cila varen familjet e zonës.

Reklame

Në mbështetje të banorëve ishte sot deputetja e Partisë Demokratike, Denisa Vata, e cila së bashku me anëtarë të Këshillit Bashkiak zhvilloi një takim në terren për të dëgjuar shqetësimet e komunitetit.

Banorët deklaruan se janë mashtruar për përmasën reale të projektit. Sipas tyre, fillimisht u është thënë se bëhej fjalë për një sipërfaqe minimale, ndërsa dokumentacioni tregon dhjetëra hektarë tokë të përfshirë në marrëveshje.

Deputetja demokrate ngriti gjithashtu dyshime për mënyrën e mbledhjes së firmave, duke theksuar se ka pretendime serioze për parregullsi dhe mashtrim të banorëve mbi përmbajtjen e dokumenteve.

Në reagimin e saj publik, Vata kritikoi edhe investimet publike në zonë, duke përmendur ujësjellësin e Gjoricës, për të cilin sipas saj janë shpenzuar mbi 3.2 milionë euro, ndërsa banorët vazhdojnë të kenë ujë të papërdorshëm dhe shërbime të munguara.

“Ky është absurdi shqiptar në formën më të pastër: miliona euro tendera, ndërsa qytetarët pa ujë, pa shërbime dhe tani edhe nën kërcënimin për t’u marrë toka nga e cila jetojnë”, shprehet deputetja.

Banorët paralajmërojnë se do të vijojnë kundërshtimin e projektit deri në zgjidhjen e situatës.

Reklame