Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, ka reaguar pas operacionit të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve (SHKBB) në IEVP Elbasan, ku u arrestuan tre persona për futje të lëndëve narkotike në burg.
Lamallari thekson se siguria në burgje është vijë e kuqe, dhe kushdo që e shkel atë, do të marrë përballjen me drejtësinë. Në reagimin e tij, ministri përgëzoi SHKBB-në për goditjen e skemës kriminale dhe për vënien para drejtësisë të tre të dyshuarve.
“Çdo përpjekje për të cënuar sigurinë në institucionet e vuajtjes së dënimit do të marrë përgjigjen e merituar me të gjithë forcën e ligjit,” shkruan Lamallari. Ai njoftoi se kontrollet nga SHKBB do të intensifikohen në të gjitha institucionet e vuajtjes së dënimit, verifikimet do të jenë të vazhdueshme dhe çdo punonjës që tradhton detyrën do të përfundojë përpara drejtësisë.
Ministri shtoi: “Kontrollet dhe goditjet do të jenë pa tolerancë ndaj çdo shkeljeje të ligjit. Siguria në burgje është vijë e kuqe. Kush e kapërcen, merr vetëm një përgjigje: përballje me drejtësinë.”














