Detaje të reja kanë dalë në lidhje me ngjarjen e regjistruar këtë të premte në Kukës, ku pas një sherri mes disa personave u dëgjuan të shtëna me armë zjarri.
Sipas Policisë, incidenti ndodhi në një lokal të qytetit, ku dy shtetasit Ç. M. dhe E. M., kushërinj me njëri-tjetrin, së bashku me tre persona të tjerë, gjatë një konflikti për motive të dobëta, kanë përdorur shkop bejsbolli dhe kanë tentuar të vrasin shtetasin S. I.
Si pasojë e goditjeve me shkop bejsbolli, viktima është dëmtuar dhe ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve. Autorët e ngjarjes janë shpallur në kërkim nga policia.
Policia njofton se nga të shtënat me armë zjarri nuk ka pasur persona të tjerë të lënduar dhe hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes vazhdojnë.














