Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka lexuar konkluzionet përfundimtare për ish-shefin e Qarkullimit Rrugor, Roven Zeka, duke kërkuar dënimin e tij me 4 vite burg.
Për shkak të gjykimit të shkurtuar, organi i akuzës kërkoi që dënimi të ulet në 2 vite e 8 muaj, me konvertim në 3 vite shërbim prove.
Për ish-shefin e Hetimit të Aksidenteve, Sokol Novak, SPAK kërkoi të njëjtin dënim: 4 vite burg, me ulje për shkak të procedurës së shkurtuar.
Ndërsa për Bledi Belba, prokuroria kërkoi 1 vit e 6 muaj burg, pezullim të dënimit dhe konvertim në shërbim prove.
Për oficerin e OPGJ-së, Edison Tabaku, SPAK kërkoi deklarimin fajtor dhe dënimin me 5 vite burg, si dhe uljen me një të tretën për shkak të procedurës së shkurtuar.
Sipas akuzës, Tabaku ka marrë para për të fshehur një aksident me 5 të plagosur.
Sa i përket Ergest Vrioni, i cili i dha para Tabakut për të mos referuar aksidentin në prokurori, SPAK kërkoi 2 vite burg, me ulje në 1 vit e 4 muaj, pezullim të dënimit dhe vendosje në shërbim prove.
Sipas hetimeve, Roven Zeka, në bashkëpunim me dy ish-zyrtarë të policisë, kanë kërkuar 2000 euro që bashkëshortja e Vrionit, Anisa Vrioni, të mos arrestohej për aksidentin me disa të plagosur.
Prokuroria kërkoi gjithashtu konfiskimin e shumës së parave të dhëna Edison Tabakut.















