Një 16-vjeçar që rrezikoi të mbytej në det është shpëtuar falë ndërhyrjes së shpejtë të shërbimeve të Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Durrës.
Sipas njoftimit të Policisë, ngjarja ka ndodhur në hapësirën e quajtur “Vaska e Marinës”, në Shëngjin, ku i mituri kishte rrëshqitur nga gurët e skalierës dhe ndodhej në vështirësi serioze. Për shkak të problemeve shëndetësore, ai nuk mund të notonte.
Menjëherë pas marrjes së sinjalizimit, shërbimet e DVKM Durrës janë nisur drejt zonës me mjet lundrues, duke bërë të mundur lokalizimin dhe nxjerrjen e 16-vjeçarit në breg.
Më pas, i mituri është transportuar drejt Spitalit Rajonal të Lezhës, ku pas marrjes së ndihmës mjekësore ndodhet në gjendje të stabilizuar.
Policia e Shtetit u ka bërë thirrje qytetarëve që në çdo rast nevoje të kontaktojnë menjëherë strukturat policore, duke garantuar reagim të shpejtë dhe profesional.














