Vijojnë hetimet intensive për zbardhjen e ngjarjes së rëndë të ndodhur më 26 prill 2026 në fshatin Balldren të Lezhës, ndërsa policia ka gjetur një automjet që dyshohet se është përdorur nga autorët.

Sipas njoftimit zyrtar, gjatë kontrolleve të imtësishme në terren, në fshatin Torovicë, në një rrugë dytësore pranë një kanali, është konstatuar një automjet tip “Audi A4”, i cili dyshohet se ka qenë i përfshirë në dinamikën e ngjarjes.

Reklame

Hetuesit dyshojnë se makina është përdorur nga bashkautorët që kishin rolin e vëzhguesve të lëvizjeve të viktimave para atentatit.Gjatë këqyrjes së automjetit, policia gjeti brenda tij dokumentacione që u përkisnin personave të shpallur në kërkim.

Mjeti është sekuestruar në cilësinë e provës materiale dhe do t’i nënshtrohet ekspertizave kriminalistike, me qëllim sigurimin e provave të tjera që mund të çojnë në identifikimin e plotë të autorëve.

Ndërkohë, kontrollet në zonë vijojnë në mënyrë intensive për lokalizimin dhe kapjen e personave të shpallur në kërkim. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Lezhës për veprime të mëtejshme.

Reklame