Gjykata e Lartë ka zgjidhur mosmarrëveshjen e kompetencës mes Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) dhe Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, duke përcaktuar se një procedim penal ku përmendet Ervis Martinaj do të gjykohet nga kjo e fundit.
Në vendimin e datës 10 mars 2026, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë ka vendosur që dosja nr. 417 e vitit 2022 të shqyrtohet nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, dhe jo nga GJKKO.
Çështja lidhet me një kontroll policor të zhvilluar në maj 2022 në hotelin “Zeus Garden”, ku dyshohej se ndodhej Ervis Martinaj. Gjatë operacionit janë sekuestruar një armë zjarri pistoletë, municione, jelekë me mbishkrimin “Policia”, portofolë me simbole policore, maska, doreza antiplumb dhe pranga.
Në këtë procedim janë marrë të pandehur edhe Armand Merlika, Ergys Merlika dhe Dea Pistolja për veprën penale “moskallëzim krimi”, ndërsa Ervis Martinaj akuzohet për “mbajtje pa leje të armëve” dhe “mbajtje pa të drejtë të uniformës”.
Një element i rëndësishëm i dosjes është ekspertiza e ADN-së, e cila sipas aktit të ekspertimit ka gjetur përputhje mes materialit gjenetik të sekuestruar në disa prej sendeve dhe profilit të Ervis Martinajt, i cili rezulton i zhdukur që prej gushtit 2022.
Gjykata e Lartë thekson se në këtë fazë nuk bëhet fjalë për vlerësim fajësie apo pafajësie, por vetëm për përcaktimin e gjykatës kompetente që do të shqyrtojë çështjen në themel.














