Ish-ministri i Sporteve, Ylli Pango, dëshmoi këtë të hënë në seancën e radhës në Gjykatën e Posaçme për çështjen e privatizimit të ish-kompleksit sportiv “Partizani”, një nga dosjet më të rëndësishme që po shqyrtohen nga drejtësia.
Në fokus të dëshmisë së Pangos janë ndryshimet ligjore të ndërmarra gjatë kohës kur ai drejtonte dikasterin e sporteve, ndryshime që sipas akuzës i hapën rrugë procesit të privatizimit të pronës shtetërore dhe zhvillimit të mëvonshëm të projektit ndërtimor.
Sipas dosjes hetimore, ligji fillestar nuk lejonte privatizimin apo dhënien me koncesion të objekteve sportive, pa ruajtur destinacionin e tyre. Më pas, ministria e drejtuar nga Pango ndërhyri në ligj, duke ndryshuar dispozitat ekzistuese.
Në vijim, sipas akuzës, u krye një tjetër ndryshim ligjor që lejoi jo vetëm dhënien me koncesion, por edhe privatizimin e plotë të pronave në favor të ish-pronarëve, duke u dhënë atyre të drejtën për të ndryshuar destinacionin e objekteve.
Në këtë proces është i pandehur edhe Jamarbër Malltezi, ndërsa hetimet dhe akuzat lidhen edhe me ish-kryeministrin Sali Berisha, i cili ka kundërshtuar akuzat dhe i ka cilësuar ato të motivuara politikisht.
Në seancën e sotme janë parashikuar të dëshmojnë edhe Tetis Lubonja, Altin Ceni dhe Paro Laçi.
Dosja e ish-kompleksit “Partizani” mbetet një nga proceset më të ndjekura në vend, për shkak të përfshirjes së figurave të njohura politike dhe debatit mbi mënyrën se si janë kryer ndryshimet ligjore dhe procedurat e privatizimit.














