Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, ka ngritur akuza të forta për gjendjen e sistemit shëndetësor në vend, duke pretenduar se qytetarët po përballen me mungesa të pajisjeve, barnave dhe shërbimeve diagnostikuese.

Në një reagim në rrjetet sociale, Xhixho e cilëson situatën si një “sistem shëndetësor në kolaps”, duke thënë se pacientët detyrohen të paguajnë shërbime në spitalet private për shkak të problemeve në sektorin publik.

Reklame

Sipas saj, në spitalet publike ka pajisje jashtë funksionit, probleme me furnizimin dhe menaxhimin e barnave, si dhe vonesa në diagnostikim.

Xhixho i referohet edhe një raporti të Kontrollit të Lartë të Shtetit, duke renditur disa pajisje që, sipas saj, nuk janë funksionale.

Ajo pretendon se shintigrafia në spitalin “Shefqet Ndroqi” është jashtë funksionit që prej 16 marsit 2020, për shkak të mungesës së lëndës radioaktive.

Deputetja thotë gjithashtu se Akseleratori Linear në Neurokirurgjinë e QSUT-së nuk funksionon që prej 12 dhjetorit 2023, ndërsa përmend edhe angiografinë në Neurokirurgji si pajisje jashtë funksionit.

Në deklaratën e saj, Xhixho ngre shqetësime edhe për gjendjen e mikroskopëve të sallave operatore, të cilët sipas saj janë të vjetër dhe kanë nevojë për zëvendësim.

“Sot në Shqipëri, të sëmuresh do të thotë të luftosh dyfish: njëherë me sëmundjen dhe njëherë me një sistem që nuk funksionon”, shprehet Xhixho.

Deputetja e Partisë së Lirisë e ka cilësuar këtë situatë si një dështim të modelit të “shëndetësisë falas” të promovuar nga qeveria.

Pretendimet e bëra nga Xhixho bazohen në interpretimin e saj të të dhënave të KLSH-së, ndërsa për gjendjen aktuale të pajisjeve dhe shërbimeve shëndetësore pritet edhe qëndrimi i institucioneve përgjegjëse.

Lexo edhe:

Xhixho: Qeveria po përgatit një tjetër monopol në shëndetësi

Erisa Xhixho: “Arsimi shqiptar në krizë, 60% e të rinjve janë analfabetë funksionalë”

Reklame