Në qytetin e Vlorë janë arrestuar në flagrancë tre shtetas, pasi dyshohet se kanë kanosur me pistoletë sportive dhe kanë tentuar të nxjerrin me forcë nga automjeti një 35-vjeçar, të cilin e kanë dhunuar fizikisht.
Sipas informacioneve zyrtare, shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë ndërhynë menjëherë pas njoftimit për ngjarjen e ndodhur në lagjen “Hajro Çakërri”, duke organizuar operacionin për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Si rezultat i ndërhyrjes së shpejtë, policia ka vënë në pranga tre të rinj nga Vlora: Xhevair Islamaj, 31 vjeç, Klodjan Hysenaj, 34 vjeç dhe Mario Zekaj, 20 vjeç.
Nga hetimet paraprake dyshohet se ata kanë kanosur me pistoletë sportive, për motive të dobëta, shtetasin L. S., 35 vjeç, i cili ndodhej brenda automjetit të tij. Më pas, autorët kanë tentuar ta nxjerrin me forcë nga mjeti, duke e goditur me grushte dhe me tytën e armës.
I dëmtuari po merr mjekim në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Gjatë kontrolleve, policia gjeti të fshehur pistoletën sportive të dyshuar si e përdorur në ngjarje, në një automjet në pronësi të babait të njërit prej të arrestuarve. Arma u sekuestrua së bashku me dy automjete të përdorura gjatë ngjarjes dhe largimit të autorëve.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Vlorës për veprat penale “Kanosja”, “Plagosja e rëndë me dashje”, kryer në bashkëpunim, si dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.














