Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka depozituar sot një kallëzim penal pranë Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë, duke akuzuar për falsifikim dokumentesh.
Kallëzimi lidhet me një dëshmësi njoftimi gjyqësore, e administruar në dosjen e Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ku figuron një nënshkrim në emër të Veliajt, sikur ai të kishte marrë dijeni personalisht për një vendim gjyqësor. Sipas kallëzimit, ky nënshkrim nuk është autentik, dhe vendimi i Apelit nuk ka mbërritur kurrë në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale Durrës, ku Veliaj ndodhet i paraburgosur, një fakt i konfirmuar zyrtarisht.
Në kallëzim theksohet se mungesa e njoftimit real dhe ekzistenca e një dokumenti me nënshkrim të rremë përbëjnë provë të drejtpërdrejtë të falsifikimit, me qëllim aktivizimin fiktiv të afateve procedurale për ushtrimin e rekursit në Gjykatën e Lartë.
Veliaj argumenton se ky veprim cenon rëndë të drejtën kushtetuese për ankim, sigurinë juridike dhe parimin e procesit të rregullt ligjor, duke synuar në realitet humbjen e së drejtës për rekurs përmes përdorimit të një akti zyrtar të rremë.
Në kallëzim kërkohet:
Regjistrimi i menjëhershëm i procedimit penal
Ekspertim grafik i nënshkrimit
Hetimi i zinxhirit të plotë të personave që kanë hartuar, administruar apo përdorur dokumentin
Hetimi i çdo vepre tjetër penale të mundshme, përfshirë shpërdorimin e detyrës
Një kopje e kallëzimit është depozituar edhe në Gjykatën e Lartë, si provë se afatet procedurale për rekurs nuk kanë filluar kurrë ligjërisht, për shkak të mungesës së njoftimit të vlefshëm.


















