Pas dy ditësh kërkimesh intensive, është gjetur trupi i pajetë i Erkin Likës, 38-vjeçarit që u rrëzua në ujërat e lumit Mat pranë Urës së Vashës, në Klos.
Lika, i njohur për pasionin e tij për hiking-un, alpinizmin dhe eksplorimin e shpellave, po kryente një stërvitje me litar kur dyshohet se humbi ekuilibrin dhe ra në lumë.
Menjëherë pas ngjarjes, në zonë u angazhuan forcat e Policisë, palombarët dhe banorë të zonës, të cilët zhvilluan kërkime të pandërprera përgjatë rrjedhës së lumit. Pas dy ditësh operacione, trupi i tij u lokalizua dhe u nxor nga uji.
Erkin Lika ishte pjesë e Shërbimit të Kërkim-Shpëtimit Malor të Shqipërisë, ku kishte marrë pjesë në dhjetëra misione shpëtimi në terrene të vështira. Ai ishte gjithashtu një nga themeluesit e Shoqatës Speleologjike Shqiptare, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në eksplorimin dhe promovimin e shpellave në Shqipëri.
Lajmi për ndarjen e tij nga jeta ka prekur komunitetin e alpinistëve dhe të shpëtimit malor, ku 38-vjeçari vlerësohej për profesionalizmin, përkushtimin dhe pasionin ndaj natyrës.
Autoritetet vijojnë procedurat për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Humbi jetën në ujërat e lumit Mat! Ky është Erkin Lika, anëtar i grupit të kërkim-shpëtimit shqiptar














