Pesë persona janë arrestuar në Britaninë e Madhe nën dyshimin për përfshirje në trafik të paligjshëm emigrantësh, mes tyre dy shtetas shqiptarë.

Rasti lidhet me një varkë të vogël të pikasur në brigjet e Essex, ndërsa një tjetër i akuzuar është ndaluar dhe po mbahet në paraburgim në Bradford.

Reklame

I akuzuari i fundit është 44-vjeçari Fation Kalemaj, i cili është lënë në paraburgim deri më 10 shtator. Në këtë datë pritet të zhvillohet seanca e radhës në gjykatën e Bradford-it.

Një tjetër shtetas shqiptar i arrestuar për të njëjtën vepër është 57-vjeçari Ilia Prendi. Ai u ndalua disa ditë më parë në lidhje me një incident të regjistruar më 1 korrik, kur një varkë e vogël u pikas në plazhin e Holland-on-Sea, në Essex.

Në atë operacion u arrestuan edhe Konrad Dabrowski, 25 vjeç, dhe Damian Ciuron, 41 vjeç. Të dy u kapën në zonën e plazhit, së bashku me Prendin.

Piloti i varkës, 45-vjeçari italian Christian Albano, u arrestua në det nga Komanda e Sigurisë Kufitare.

Sipas mediave angleze rasti është tashmë në procedurë gjyqësore, ndërsa autoritetet britanike vijojnë hetimet për të përcaktuar rolin e secilit prej pesë personave në aktivitetin e dyshuar të trafikimit të emigrantëve.

Fation Kalemaj do të qëndrojë në paraburgim deri në seancën e 10 shtatorit, kur pritet të vendoset për hapat e mëtejshëm të çështjes.

Lexo edhe:

“Na kanë shkatërruar shqiptarët”, trafikanti i njohur i kokainës kërkoi ndihmë nga klanet rivale pas humbjes së tonelatave drogë

Çfarë shqetëson më shumë turistët në Shqipëri në vitin 2026? Nga trafiku te çmimet dhe infrastruktura

Reklame