Advertisement

Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin e koduar “Gracka”, duke goditur një rast të vjedhjeve seriale në banesa dhe duke arrestuar dy persona të dyshuar si autorë.

Operacioni u zhvillua nga Komisariati i Policisë Nr. 1, pas hetimeve për zbardhjen e disa vjedhjeve të ndodhura gjatë muajve të fundit.

Reklame

Në pranga ranë shtetasit:

  • I. G., 34 vjeç
  • A. M., 39 vjeç

Të dy rezultojnë të dënuar më parë për vjedhje me dhunë dhe krime kundër personit.

Sipas policisë, ata u kapën në flagrancë në rrugën “Panorama e Liqenit”, duke lëvizur me një motomjet të dyshuar të vjedhur, ndërsa dyshohet se po përgatiteshin për të kryer ngjarje të tjera kriminale.

Gjatë kontrollit, uniformat blu u gjetën autorëve sende që përdoren për vjedhje, armë të ftohta, si dhe sende të tjera të kundërligjshme.

Nga hetimet ka rezultuar se dy të arrestuarit dyshohet se kanë vjedhur shuma parash, sende me vlerë, pajisje elektronike dhe sende të ndryshme në 9 banesa gjatë muajve të fundit.

Policia bën me dije se puna vijon për dokumentimin e rasteve të tjera të mundshme ku mund të jenë të përfshirë të arrestuarit.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

Reklame