Bilanci i tërmetit të dyfishtë që goditi Venezuelën vijon të rëndohet nga ora në orë. Sipas të dhënave zyrtare, numri i viktimave ka arritur në 235, ndërsa mbi 4.300 persona kanë mbetur të plagosur dhe më shumë se 42 mijë rezultojnë ende të zhdukur.
Ekipet e shpëtimit po vijojnë operacionet intensive në kryeqytetin Karakas dhe në zonën bregdetare të La Guaira-s, ndër më të goditurat nga katastrofa natyrore. Shumë persona dyshohet se ndodhen ende nën rrënoja, ndërsa mijëra familje kanë mbetur pa strehë.
Dy tërmete të fuqishme me magnitudë 7.2 dhe 7.5 goditën vendin gjatë natës mes të mërkurës dhe të enjtes, me vetëm 40 sekonda diferencë nga njëri-tjetri. Lëkundjet e forta shkaktuan dëme të mëdha në ndërtesa, infrastrukturë dhe rrjetet e shërbimeve.
Sipas të dhënave të Shërbimit Gjeologjik të Shteteve të Bashkuara, të dy tërmetet ishin relativisht të cekëta. Tërmeti i parë kishte epiqendrën në një thellësi prej 20.3 kilometrash, ndërsa i dyti në rreth 10 kilometra nën sipërfaqen e tokës.
Shumë banorë kanë kaluar natën në rrugë, nga frika e shembjes së ndërtesave të dëmtuara. Autoritetet kanë ngritur qendra të përkohshme strehimi për personat e evakuuar.
Ndërkohë, komuniteti ndërkombëtar ka nisur të ofrojë ndihmë humanitare. Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar një paketë ndihme prej 150 milionë dollarësh për operacionet e emergjencës. Ushtria amerikane po dërgon avionë dhe anije transporti për të mbështetur ekipet e kërkim-shpëtimit dhe për të përshpejtuar dërgimin e ndihmave.
Gjithashtu, Uashingtoni ka autorizuar përkohësisht kryerjen e transaksioneve financiare drejt Venezuelës për qëllime humanitare, pavarësisht sanksioneve ekzistuese.
Sipas autoriteteve, më shumë se 250 ndërtesa janë dëmtuar ose janë shembur plotësisht. Aeroporti ndërkombëtar i Maiquetías, pranë Karakasit, është mbyllur për shkak të dëmeve të konsiderueshme në infrastrukturë.














