Advertisement

Seanca e Komisionit për Reformën Zgjedhore është shoqëruar me debate të forta, ku i pranishëm ishte edhe kreu i SPAK, Klodian Braho, i thirrur në një seancë dëgjimore për çështjet e krimeve zgjedhore dhe integritetit të procesit elektoral.

Gjatë mbledhjes, deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, ngriti akuza të forta lidhur me përdorimin e sistemit të patronazhimit dhe trajtimin e kallëzimeve të depozituara nga opozita në SPAK.

Reklame

Sipas Vokshit, opozita ka dorëzuar disa kallëzime të detajuara që prej vitit 2023, si edhe të tjera në vitin 2025, por pretendoi se deri më tani nuk ka marrë asnjë përgjigje nga Prokuroria e Posaçme. Ajo kërkoi gjithashtu informacion nëse janë hetuar çështje që lidhen me AKSHI-n dhe të ashtuquajturat lista të patronazhistëve.

Përplasje në mbledhje

Seanca u shoqërua edhe me tensione mes deputetes demokrate dhe bashkëkryetarit të komisionit, Damian Gjiknuri, të cilit Vokshi iu drejtua me tone të ashpra, duke e akuzuar për përdorim të sistemit të patronazhimit dhe përfshirje në procesin zgjedhor.

Ajo deklaroi gjithashtu se në kallëzimet e depozituara përfshihen edhe raste që lidhen me ministra dhe institucione publike, duke përmendur pretendime për presion mbi votuesit dhe përdorim të të dhënave personale.

Qëndrimi i SPAK

Në përgjigje të akuzave, kreu i SPAK, Klodian Braho, sqaroi se “patronazhimi” si koncept nuk përbën vepër penale të parashikuar në Kodin Penal dhe nuk është objekt i drejtpërdrejtë hetimi nga SPAK.

Sipas tij, juridiksioni i Prokurorisë së Posaçme përfshin vetëm veprat penale të korrupsionit aktiv dhe pasiv në zgjedhje, ndërsa çështjet që lidhen me përdorimin e të dhënave personale trajtohen nga prokuroritë e juridiksionit të zakonshëm.

Braho shtoi se çdo rast duhet të vlerësohet veçmas, nëse përfshin individë apo struktura që bien në kompetencën e SPAK, ndërsa theksoi se institucioni nuk mund të komentojë çështje konkrete në një seancë publike.

Ai gjithashtu u shpreh se opozita është informuar më herët mbi vendimmarrjet e prokurorisë lidhur me kallëzimet e depozituara.

Reklame