Seanca plenare është shoqëruar me tensione të forta, pasi deputetët e Partisë Demokratike bllokuan foltoren, në shenjë proteste ndaj ndërprerjes së fjalës së Sali Berishës nga drejtuesi i seancës, Niko Peleshi.
Pas situatës së krijuar, fjalën e mori kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, i cili u bëri thirrje demokratëve të distancohen nga protestat e organizuara nga opozita.
“I bëj thirrje PD të distancohet nga dhuna e përsëritur nga protestat e thirrura nga kjo parti. Çdo parti mban përgjegjësi për mbarëvajtjen e këtyre protestave. Ka të dyshuar të paguar për të kryer këto akte tensioni. PD duhet të distancohet nga këto akte dhune. Kuvendi duhet të shprehet në mbrojtje të punonjësve të Policisë së Shtetit dhe të kërkojmë nga Prokuroria masat për paprekshmërinë e uniformës,” u shpreh Balla.
Teksa ai po fliste, deputetja e PD-së, Ina Zhupa, vijonte akuzat nga foltorja e bllokuar. Në këtë moment, Balla iu drejtua ashpër asaj me fjalët:
“Pusho moj ti pusho, se le nam.”
Shkëmbimet verbale shtuan tensionin në sallë, ndërsa seanca vijoi mes përplasjesh politike dhe akuzash të ndërsjella.














