Seanca plenare e kësaj të enjteje në Kuvendin e Shqipërisë është shoqëruar me tensione dhe ndërprerje të punimeve, pasi deputetët e opozitës kanë bllokuar foltoren në momentin kur ishte parashikuar raportimi i Avokatit të Popullit, Endri Shabani.
Deputetët opozitarë zbritën pranë foltores së Kuvendit, duke penguar vijimin normal të seancës dhe duke kundërshtuar procedurat parlamentare të ndjekura nga mazhoranca.
Për shkak të situatës së krijuar në sallë, drejtuesi i seancës, Niko Peleshi, vendosi të ndërpresë përkohësisht punimet, duke shpallur një pushim 5-minutësh me synimin për të qetësuar situatën dhe për të rikthyer normalitetin në zhvillimin e seancës.
Tensionet në Kuvend vijnë pas një sërë përplasjesh verbale mes deputetëve të opozitës dhe mazhorancës gjatë diskutimeve për raportimin e institucioneve të pavarura.
Ndërkohë, situata është e tensionuar edhe jashtë godinës së Parlamentit, ku qytetarë dhe aktivistë po zhvillojnë protestë, duke kërkuar largimin e qeverisë dhe duke shprehur pakënaqësitë e tyre ndaj politikave të mazhorancës.
Seanca pritet të rifillojë pas përfundimit të pushimit, ndërsa mbetet për t’u parë nëse opozita do të vijojë aksionin e saj në sallën e Kuvendit.














