Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dhënë pretencën për Samir Rosales Rodriguez, i njohur si “kimisti” i laboratorit të kokainës në Frakull të Fierit.

Prokurori Adnan Xholi kërkoi dënimin e tij me 14 vite burg, ndërsa bëri me dije se autoritetet shqiptare po presin ekstradimin e Rodriguez nga Kolumbia, ku ai u arrestua më 4 shtator të vitit të kaluar.

Reklame

Sipas SPAK, Rodriguez kishte rolin kyç të nxjerrjes së kokainës së përzier me pleh organik në laboratorin e ngritur në Frakull. Hetimet tregojnë se ai udhëtoi nga Kolumbia në Greqi, më pas në Mal të Zi dhe Shqipëri për të realizuar procesin.

Sipas dosjes hetimore, bëhet fjalë për rreth 480 kilogramë kokainë të fshehur në pleh kimik, e trafikuar nga Amerika Latine drejt Shqipërisë.

Rodriguez akuzohet për trafik narkotikësh në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe kryerje veprash penale nga organizata kriminale.

Çështja lidhet me laboratorin e kokainës në Frakull, për të cilin SPAK ka marrë të pandehur edhe ish-kryetarin socialist të ish-komunës Frakull, Viktor Çervanaku, dhe persona të tjerë të përfshirë në këtë dosje të bujshme të trafikut ndërkombëtar të drogës.

Reklame