Advertisement

Në vendin tonë, çmimi i karburanteve ka fluturuar kaq lart sa që nëse e përllogarit me të ardhurat mesatare, rezultati është i tmerrshëm. Megjithatë, duket se askush nuk e sheh këtë problem… përveç një deputeti socialist.

Sot në seancën parlamentare, ndërsa shqiptarët vidhen ditën me diell nga çmimet e karburanteve – me dijenin e qeverisë dhe heshtjen e opozitës – ata duket se janë të angazhuar për… universitete në Shkodër dhe hapjen e bankave online dhe call-centers. Çmimi i benzinës? Nuk iu ra fare në sy. Asnjë shqetësim, asnjë fjalë, asnjë reflektim. Qëndrime që lënë të kuptosh qartë: pale me oligarkët, indiferentë ndaj zhvatjes së përditshme që i bëhet çdo shqiptari.

Reklame

Ndërkohë, i vetmi që ngriti zërin ishte deputeti i PS, Erion Braçe, i vetmi që foli për realitetin: tregun e hidrokarbureve dhe çmimin neto më të lartë në rajon.

“Duhet të kthejmë vëmendjen nga modeli i tregut që kemi në këtë sektor. Është shumë e rëndësishme që narrativa që synon të fshehë elementë të posaçëm dhe modeli që kemi në tregun e hidrokarbureve të mos gjejë hapësirë për të tërhequr vëmendjen në drejtime të tjera,” tha Braçe, duke e përshkruar situatën në mënyrë më të qartë se sa çdo analizë ekonomike e opozitës.

Ai shtoi se çmimi neto i hidrokarbureve në Shqipëri është më i larti në rajon, edhe më i larti se në Greqi, Maqedoni, Kosovë, Mal të Zi e Serbi, pa përfshirë taksat. Dhe nëse kjo nuk është shqetësuese për opozitën, atëherë çfarë është?

Braçe nuk la pa përmendur as kërcënimet e një shoqate furnizuesish që funksionon si kartel dhe kërcënon ndërprerjen e furnizimit, duke cenuar sigurinë kombëtare. “Tone kriminale që kërcënojnë sigurinë kombëtare dhe garantojnë fitime dhe arrogancë nga operatorët e tregut,” përfundoi ai.

Pra ndërsa shqiptarët paguajnë çmimet më të larta në rajon, opozita shqetësohet për universitete dhe call-centers, ndërsa një deputet i vetëm socialist na kujton realitetin që të gjithë heshtin.

Reklame