Advertisement

Autor i vrasjes së efektivit të policisë dhe plagosjes së kolegut të tij, Violand Braçellari, rezulton se ka përfituar fonde publike nga skemat mbështetëse në bujqësi dhe blegtori, pavarësisht se ishte në kërkim nga autoritetet.

Sipas raportimeve, Braçellari ka marrë subvencione nëpërmjet AZHBR për ngritjen e stallave të bagëtive. Nuk është ende e qartë nëse aplikimet janë bërë në emrin e tij apo të familjarëve, por burime mediatike bëjnë me dije se ai ka përfituar fonde publike në sektorin e bujqësisë dhe blegtorisë, edhe pse ishte person në kërkim.

Reklame

Ngjarja ka ngritur pikëpyetje të forta mbi mënyrën e verifikimit të përfituesve të fondeve publike, sidomos në rastet kur bëhet fjalë për persona me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe të skeduar më parë nga organet ligjzbatuese.

Braçellari është akuzuar si autori i ngjarjes së rëndë të 4 qershorit në Maliq, ku gjatë operacionit për arrestimin e tij mbeti i vrarë efektivi i Forcave “Shqiponja”, Enea Meçollari, ndërsa u plagos kolegu i tij, Edison Adri. Gjatë shkëmbimit të zjarrit, i plagosur mbeti edhe vetë autori.

Operacioni për kapjen e tij u zhvillua në një zonë malore të Maliqit, ku ai fshihej në një stan, ndërsa në terren ishin angazhuar forca të specializuara të Policisë së Shtetit, përfshirë edhe RENEA.

Hetimet vijojnë për të zbardhur të gjitha rrethanat e ngjarjes, përfshirë edhe mënyrën se si ai ka arritur të përfitojë fonde publike ndërkohë që ishte në kërkim.

Reklame