Advertisement

Një seri bastisjesh në banesa, një ndjekje filmike në rrugët malore të Bergamos dhe një aksident i rëndë rrugor çuan në shkatërrimin e një bande grabitësish, ku në pranga përfundoi një shtetas shqiptar, i dyshuar si pjesë e të ashtuquajturës bandë e “skifterëve”.

Ngjarja u regjistrua mbrëmjen e 12 janarit, kur karabinierët italianë arritën të rikuperojnë mallrat e vjedhura nga disa vjedhje me thyerje, të kryera brenda pak orësh në San Giovanni Bianco dhe Moio de’ Calvi.

Reklame

Rreth orës 19:00, karabinierët e stacionit të Zognos, gjatë patrullimeve për parandalimin e krimit grabitqar, konstatuan një “Alfa Romeo Junior” të raportuar si automjet i dyshimtë, i përdorur nga autorët e vjedhjeve të ndodhura pak më herët.

Sapo drejtuesi i mjetit vuri re patrullën, ai u largua me shpejtësi të lartë përgjatë rrugës SS470, në drejtim të Sedrinës, duke nisur një ndjekje që zgjati rreth pesë minuta.

Ndjekja përfundoi në mënyrë dramatike në kryqëzimin me Via Maivista, ku drejtuesi i mjetit, gjatë një manovre të rrezikshme parakalimi, u përplas ballë për ballë me një “Ford” që po vinte nga drejtimi i kundërt.

Aksidenti përfshiu gjithsej pesë automjete, mes tyre edhe makinën e shërbimit të karabinierëve, duke krijuar kaos në rrugë.

Një nga personat në automjet, pasagjer, u arrestua në flagrancë. Gjatë kontrollit, karabinierët i gjetën sasi të konsiderueshme bizhuterish ari, të cilat më pas u konfirmuan se ishin produkt i tre vjedhjeve në banesa, të kryera midis orës 17:00 dhe 18:45 në San Giovanni Bianco dhe Moio.

Shoferi i automjetit, duke përfituar nga rrëmuja pas aksidentit, arriti të largohej në këmbë, duke u futur në shkurret pranë rrugës. Pavarësisht kërkimeve intensive, me ndihmën e ekipit të shpëtimit alpin dhe zjarrfikësve të Zognos dhe Bergamos, ai nuk u lokalizua.

Brenda makinës, e cila rezultoi e marrë me qira në emër të një kompanie, u gjetën dhe u sekuestruan mjete profesionale për thyerje banesash, duke forcuar dyshimet për një aktivitet kriminal të organizuar.

Mallrat e vjedhura iu rikthyen pronarëve të dëmtuar, ndërsa hetimet vijojnë për identifikimin dhe arrestimin e dy bashkëpunëtorëve të tjerë, të dyshuar si pjesë e së njëjtës bandë.

Reklame