Një operacion i gjerë i Policisë së Tiranës, i koduar “Rrjeti”, ka çuar në arrestimin e katër personave dhe shpalljen në kërkim të dy të tjerëve, të dyshuar si pjesë e grupeve kriminale që merreshin me shitjen e armëve të zjarrit, lëndëve plasëse dhe municioneve në kryeqytet.
Në pranga kanë rënë Marsel Varka, Elsaed Maqinaj, Fabian Zako dhe Kristaq Biba, ndërsa në kërkim janë shpallur Kevin Vila dhe Bledar Avdillari.
Sipas Policisë, të dyshuarit janë dokumentuar përmes metodave speciale të hetimit dhe blerjeve të stimuluara, të cilat kanë shërbyer për provimin e aktivitetit të tyre kriminal. Operacioni është monitoruar edhe me dron, duke filmuar momentet e arrestimit të personave të përfshirë.
Gjatë aksionit janë sekuestruar 7 armë zjarri, konkretisht 4 pistoleta dhe 3 automatikë, si dhe municion luftarak dhe sende të tjera që do t’i shërbejnë hetimit.
Hetimet kanë zbuluar se gjashtë personat e identifikuar në këtë fazë të operacionit bashkëpunonin me pesë persona të arrestuar më herët, në muajin mars, për të njëjtën veprimtari kriminale. Bëhet fjalë për Donati Jaku, Florian Gjeta, Urim Meta, Ligod Mehmeti dhe Klodian Mustafa.
Sipas të dhënave hetimore, armët shiteshin në zona të ndryshme të Tiranës, ku një pistoletë arrinte vlerën deri në 1500 euro, ndërsa automatikët tip kallashnikov shiteshin deri në 2500 euro.
Bilanci total i operacionit “Rrjeti” deri tani është i konsiderueshëm. Policia njofton se gjatë gjithë periudhës hetimore janë arrestuar 9 persona, ndërsa janë sekuestruar 17 armë zjarri, 4 kallëpë lëndë plasëse, sasi e madhe municioni, 4 automjete dhe 13 telefona celularë.
Hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në rrjet dhe për dokumentimin e plotë të aktivitetit kriminal, ndërsa po punohet edhe për kapjen e dy personave të shpallur në kërkim.













