Tensionet mes Shtetet e Bashkuara dhe Iran po hyjnë në një fazë kritike, ndërsa dritarja diplomatike ngushtohet dhe prania ushtarake amerikane në rajon mbetet në nivel maksimal gatishmërie.
Sipas raportimeve të The Jerusalem Post, ditët dhe javët në vijim do të jenë vendimtare për të kuptuar nëse presidenti amerikan Donald Trump do të urdhërojë një goditje ushtarake kundër Teheranit apo do të zgjasë afatin për një marrëveshje.
Më poshtë janë katër skenarët më të mundshëm.
Skenari 1: Sulm brenda pak ditësh
Ky variant parashikon një goditje të menjëhershme, potencialisht midis së dielës dhe të enjtes. Një vendim i tillë do të nënkuptonte se urdhri politik është dhënë, por po pritet finalizimi operacional dhe një sinjal i qartë se negociatat me Republikën Islamike kanë dështuar.
Ekziston edhe mundësia që Irani të paraqesë një propozim të ri, i cili të refuzohet menjëherë nga Uashingtoni, duke hapur rrugën për veprim ushtarak. Megjithatë, ky skenar konsiderohet më pak i mundshëm për shkak të takimeve të planifikuara SHBA–Iran.
Skenari 2: Goditje në fillim ose në mes të javës së ardhshme
Ky vlerësohet nga shumë analistë si opsioni më realist. Trump ka vendosur një afat dyjavor për arritjen e një marrëveshjeje. Nëse, pas shqyrtimit të ofertës iraniane, ajo konsiderohet e pamjaftueshme, një sulm mund të ndërmerret në fillim ose në mes të javës së ardhshme.
Vendimi do të përfshinte një kalkulim të kostos ushtarake, presionit ndërkombëtar dhe pasojave rajonale, sidomos përballë reagimit të udhëheqësit suprem iranian, Ali Khamenei.
Skenari 3: Sulm menjëherë pas Ramazanit
Një tjetër opsion është shtyrja e operacionit për pas përfundimit të Ramazanit, rreth 19 marsit. Një ndërhyrje gjatë muajit të shenjtë për myslimanët mund të përshkallëzojë ndjeshëm reagimet në rajon dhe të vështirësojë koordinimin me aleatët sunitë të SHBA-së.
Nga ana tjetër, një sulm gjatë Ramazanit mund të forcojë narrativën e Teheranit për “agresion të huaj”, duke konsoliduar frontin e brendshëm të regjimit.
Megjithatë, mbajtja për një kohë të gjatë e një pranie masive ushtarake amerikane në rajon ka kosto të larta financiare dhe strategjike, çka e bën këtë skenar më pak të favorshëm se i dyti.
Skenari 4: Shtyrje për një periudhë më të gjatë
Ky konsiderohet më pak i mundshëm, por jo i pamundur. Dy aeroplanmbajtëse, mbi një duzinë destrojerësh dhe qindra avionë ndodhen aktualisht në gatishmëri në Lindjen e Mesme.
Shumë analistë dyshojnë se administrata amerikane do ta mbajë një “armatadë” të tillë përtej mesit të marsit pa e përdorur ose pa arritur një marrëveshje. Megjithatë, tre faktorë mund ta ndryshojnë këtë dinamikë:
Parashikimet e analistëve shpesh janë përgënjeshtruar.
Irani ka aftësi për të zgjatur negociatat.
Trump përballet me një nga vendimet më të mëdha të presidencës së tij.
Në ekuacion hyn edhe Izrael. Fillimisht, analistët izraelitë ishin të ndarë nëse Khamenei do të urdhëronte një sulm ndaj Izraelit si kundërpërgjigje ndaj një goditjeje amerikane.
Disa besonin se reagimi do të kufizohej ndaj bazave dhe anijeve amerikane në rajon, nëse Forcat Mbrojtëse Izraelite do të qëndronin jashtë operacionit. Megjithatë, retorika e liderëve izraelitë është ashpërsuar, duke rritur gjasat e një përfshirjeje të drejtpërdrejtë.
Nëse Izraeli angazhohet në operacion, Teherani mund të zgjedhë të godasë jo vetëm objektiva amerikane, por edhe territorin izraelit, duke e kthyer një konflikt të kufizuar në një luftë rajonale me pasoja të paparashikueshme.














