Institucionet e sigurisë së tregut në Kosovë kanë zbuluar një rast të rëndë shkeljeje në tregun e metaleve të çmuara, pas një aksioni të zhvilluar në Rajonin e Pejës.
Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT), në koordinim me Prokuroria e Shtetit në Pejë, Policia e Kosovës dhe Doganat e Kosovës, ka realizuar një operacion të gjerë që ka çuar në sekuestrimin e 45 kilogramëve ar.
Sipas njoftimit zyrtar, gjatë kontrollit është gjetur dhe ndaluar përkohësisht një sasi prej mbi 20 kilogramësh ar, i cili rezultoi i paverifikuar dhe pa shenjëzimin përkatës nga Agjencia e Metrologjisë së Kosovës. Malli është bllokuar dhe do të mbetet nën masë sigurie deri në përfundimin e procedurave ligjore.
Gjithashtu, në kuadër të këtij aksioni janë sekuestruar mbi 25 kilogramë punime të metaleve të çmuara – kryesisht ar – për të cilat subjektet ekonomike nuk kanë arritur të paraqesin dokumentacionin e nevojshëm që dëshmon prejardhjen e tyre.
IQMT ka paralajmëruar të gjithë operatorët ekonomikë se kontrollet do të vijojnë me intensitet të shtuar në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Sipas institucionit, ndaj çdo parregullsie do të ndërmerren masa të rrepta ndëshkuese, në përputhje me legjislacionin në fuqi.














