Policia e Sarandës ka vënë në pranga një 29-vjeçar, i cili u kap në flagrancë duke ndihmuar një shtetas të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit.
Ngjarja u regjistrua në vendin e quajtur “Sorone”, në fshatin Xarë, ku shërbimet e Policisë Kufitare ndaluan një automjet tip “Volkswagen” që po transportonte një shtetas nga Pakistani, pa dokumentacion të rregullt.
Në përfundim të veprimeve hetimore, u arrestua A. K., 29 vjeç, banues në Karbunarë, Lushnjë, i cili dyshohet se kishte marrë pagesë për të transportuar emigrantin me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit drejt Greqisë.
Mjeti i përdorur për transportin e emigrantit është sekuestruar si provë materiale, ndërsa vijojnë hetimet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet të paligjshëm.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Sarandës, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.














