Deputeti Ervin Salianji ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të Sali Berishës, duke e akuzuar se po sulmon për shkak të frikës nga humbja e privilegjeve dhe kontrollit politik.
“Sali kolltuku, je tmerruar sepse po humb privilegjet. Lëri llafet si llaxor lagjeje dhe dil, nëse ke guxim, publiko dosjet. Ja ku i ke, fakte jo haluçinacione prej frikës,” u shpreh Salianji.
Ai tha se në dokumente gjyqësore, sipas tij, rezultojnë raste kërcënimesh dhe kërkesash financiare ndaj shtetasve të huaj, duke iu referuar të ashtuquajturës dosje “Agasi–Beqiri”, të cilën e cilëson si të provuar në vendime gjykate.
“Po ti pse hesht? A ke marrë ndonjë ‘llokmë’ që nuk e përmend asnjëherë Ermal Beqirin? Apo të mungon guximi?”, vijoi ai, duke i bërë thirrje Berishës të publikojë dosjet e plota.
Salianji akuzoi më tej se Berisha po vepron për të mbrojtur interesa politike dhe personale, duke e quajtur “simbol të degradimit politik”.
“Mua nuk më ble dhe as kërcënon dot askush. Demokratët nuk janë dele, janë guximtarë,” deklaroi ai.
Në përfundim, Salianji theksoi se opozita duhet të çmontojë atë që e quajti “regjimi Rama–Berisha”, duke e paraqitur konfliktin si përplasje të fortë brenda politikës shqiptare.















