Moti në vend ka pësuar një ndryshim të menjëhershëm, duke rikthyer reshjet e dëborës dhe uljen e temperaturave në disa zona.

Rajonet veriore janë ndër më të prekurat nga ky përkeqësim i kushteve atmosferike, ku reshjet e dëborës kanë mbuluar një pjesë të mirë të territorit.

Reklame

Ndërkohë, edhe zonat malore të qarkut të Elbasan janë përfshirë nga reshjet. Në Gjinar dhe Zavalinë, dëbora ka rënë me intensitet mesatar.

Situata paraqitet më e rënduar në zonën e Librazhd, ku reshjet janë më intensive, veçanërisht në fshatrat Fushë Studën, Steblevë dhe Qarrishtë.

Autoritetet lokale u bëjnë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes në lëvizje, sidomos në zonat malore ku pritet që reshjet të vijojnë edhe në orët në vijim.

Problematikat më të theksuara janë regjistruar në aksin Qukës–Qafë Plloçë dhe në zonën e Qafë Thanë, ku gjatë natës trashësia e dëborës ka qenë më e konsiderueshme. Megjithatë, për shkak të temperaturave tipike pranverore, dëbora ka nisur të shkrijë, duke mbetur kryesisht në zonat malore.

Reshje dëbore janë regjistruar edhe në disa prej destinacioneve turistike më të njohura si Dardhë, Voskopojë dhe Boboshticë, si dhe në qytetet Leskovik dhe Ersekë.

Autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes gjatë qarkullimit në këto zona, për shkak të lagështirës dhe pranisë së dëborës në segmente të caktuara. Aktualisht, sipas informacioneve, të gjitha akset rrugore janë të kalueshme dhe nuk raportohen probleme serioze në qarkullim.

Reklame