Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, raportohet se ka udhëzuar komandantët më të lartë ushtarakë të hartojnë skenarë për një ndërhyrje të mundshme në Grenlandë, një zhvillim që mund të hapë një krizë serioze brenda Aleancës së Atlantikut të Veriut. Lajmi është bërë publik nga media britanike Daily Mail, duke iu referuar burimeve pranë qarqeve të sigurisë amerikane.

Prej kohësh, Trump ka shprehur interes për vendosjen e kontrollit amerikan mbi Grenlandën, territor autonom nën sovranitetin e Danimarkës, duke e konsideruar ishullin si strategjik për sigurinë kombëtare të SHBA-së dhe për frenimin e ndikimit rus dhe kinez në Arktik. Ai nuk ka përjashtuar as mundësinë e përdorimit të forcës ushtarake, një qasje që ka shkaktuar tensione të forta me aleatët evropianë, të cilët kanë dalë hapur në mbështetje të Danimarkës.

Reklame

Sipas raportimeve, Trump i ka kërkuar Komandës së Përbashkët të Operacioneve Speciale të shqyrtojë opsione konkrete për një pushtim të mundshëm, por Shefat e Përbashkët të Shtabit kanë shprehur kundërshtime të forta. Burime ushtarake citojnë se gjeneralët e lartë e konsiderojnë një veprim të tillë si të paligjshëm dhe pa mbështetje nga Kongresi amerikan. Madje, sipas të njëjtave burime, drejtuesit ushtarakë kanë tentuar ta largojnë vëmendjen e Trump drejt alternativa të tjera më pak përçarëse në arenën ndërkombëtare.

Raporti sugjeron se ideja për të vepruar shpejt ndaj Grenlandës është nxitur nga disa këshilltarë të afërt të Trump, përfshirë figura të linjës së ashpër politike, të cilët argumentojnë se SHBA duhet të sigurojë ishullin përpara se Rusia ose Kina të rrisin praninë e tyre në rajon.

Një burim diplomatik ka paralajmëruar se një pushtim i tillë mund të trondisë themelet e NATO-s, madje duke çuar në shpërbërjen e saj nga brenda. Sipas këtij vlerësimi, disa zyrtarë evropianë dyshojnë se tensionimi ekstrem i aleancës mund të jetë një strategji e qëllimshme e rrethit më radikal rreth Trump, e cila do ta detyronte Evropën të rishqyrtojë qëndrimin e saj ndaj NATO-s.

Nëse këto plane do të materializohen, Grenlanda mund të shndërrohet në pikën më të nxehtë të përplasjes politike dhe ushtarake mes SHBA-së dhe aleatëve të saj tradicionalë.

Reklame