Kryeministri Edi Rama ka reaguar për situatën e zjarreve në zonën e Abazës së Krujës, ku prej pasdites ekipet e emergjencave po punojnë për vënien nën kontroll të flakëve.
Përmes një postimi në Facebook, Rama bëri me dije se në operacion janë angazhuar tre helikopterë të Forcës Ajrore, të cilët po ndërhyjnë nga ajri në mbështetje të forcave operacionale në terren.
Sipas kryeministrit, zjarri është shkaktuar nga dora e njeriut, ndërsa puna vijon për izolimin e vatrës dhe mbrojtjen e banesave që ndodhen pranë zonës së rrezikuar.
“Shumë mirënjohje dhe respekt për pilotët e Forcës Ajrore dhe efektivët e MZSH Krujë, Kamëz, Tiranë dhe Vorë, të cilët po punojnë pa ndërprerje për izolimin e vatrës dhe mbrojtjen e banesave të rrezikuara”, shkruan Rama.
Kryeministri ka vlerësuar angazhimin e forcave të emergjencave dhe pilotëve, ndërsa operacioni për shuarjen dhe izolimin e zjarrit vijon.
Lexo edhe:
Zjarret në Shqipëri/ 23 vatra gjatë 24 orëve, vetëm 2 mbeten në monitorim
Ministria e Mbrojtjes: Efektivët në terren përballë zjarreve në Dajt dhe Mallakastër













