Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka lëshuar akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama, duke deklaruar se ai po kërkon mbështetje në Beograd tek presidenti serb Aleksandër Vuçiç, pasi sipas tij “e kanë vënë me shpatulla pas murit”.

Në një deklaratë për mediat, Berisha u shpreh se Rama “ka vendosur të shkelë çdo ligj dhe çdo normë për të mbrojtur veten”, ndërsa e akuzoi se nuk pranon të përballet me prokurorët për aferat korruptive.

Reklame

Sipas Berishës, ndërhyrjet e fundit të komunitetit ndërkombëtar për forcimin e shtetit ligjor dhe ndarjes së pushteteve në Shqipëri “kanë rënë në vesh të shurdhër”, pasi – sipas tij – Rama i shumëzon ato me interesin personal për të mbrojtur pushtetin.

Ai pretendoi se kryeministri, në kundërpërgjigje, ka firmosur një letër me Vuçiçin, duke sinjalizuar – sipas tij – distancim nga Bashkimi Europian dhe afrimin me Beogradin.

Berisha e cilësoi si “akt tradhtie kombëtare” çdo përpjekje për të zëvendësuar procesin e integrimit europian me iniciativa rajonale si “Ballkani i Hapur”, duke argumentuar se një skemë e tillë do të dëmtonte prodhimet shqiptare për shkak të marrëveshjeve tregtare të Serbisë me vende të tjera.

Ai theksoi se integrimi në Bashkimin Europian ka qenë “përpjekja më fisnike dhe investimi më i drejtë i shqiptarëve në 33 vitet e fundit”, duke e konsideruar çdo devijim nga ky kurs si të papranueshëm.

Deklaratat e Berishës vijnë në një klimë të tensionuar politike në vend, ndërsa çështjet që lidhen me drejtësinë dhe raportet rajonale vijojnë të mbeten në qendër të debatit publik.

Reklame