Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim me komunitetin shqiptar në Michigan, në nisje të vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara, përpara pjesëmarrjes në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.

Gjatë fjalës së tij, Rama u ndal në disa prej çështjeve që kanë dominuar debatin politik dhe publik në Shqipëri, duke nisur nga vendimi i Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së, te marrëdhënia me diasporën, protestat për flamingon në Zvërnec dhe procesi i integrimit europian.

Reklame

Rama për vendimin e Hagës: “Varrosje për së gjalli”

Kryeministri e cilësoi vendimin e Dhomave të Specializuara ndaj katër ish-drejtuesve të UÇK-së si një “varrosje për së gjalli”.

Rama tha se vendimet e gjykatave duhet të respektohen, por sipas tij institucionet politike të Kosovës duhet ta kundërshtojnë atë që ai e konsideron si padrejtësi ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së.

“Vendimet e gjykatave duhen respektuar, por problemi nuk është si të mos respektosh vendimin e gjykatës, por si ta refuzosh varrosjen për së gjalli të katër njerëzve. Shqipëria nuk mund të bëjë më shumë sesa t’i rrijë në krah Kosovës, por të zgjedhurit e popullit të saj duhet ta refuzojnë këtë varrosje për së gjalli”, deklaroi Rama.

Regjistri Kombëtar i Diasporës

Një pjesë të rëndësishme të fjalimit Rama ia kushtoi diasporës shqiptare.

Ai tha se qeveria ka nisur zbatimin e Strategjisë Kombëtare të Diasporës 2030 dhe se po punohet për krijimin e një Regjistri Kombëtar të Diasporës.

Sipas Ramës, regjistri synon të shërbejë si një pikë e vetme ku shqiptarët që jetojnë jashtë vendit mund të kenë akses te shërbimet shtetërore.

“Po krijojmë Regjistrin Kombëtar të Diasporës, një sportel unik ku çdo shqiptar e gjen shtetin e vet me një klik”, tha kryeministri.

Ai përmendi gjithashtu krijimin e dritareve të posaçme për investitorët shqiptarë jashtë vendit.

Rama solli në vëmendje edhe zgjedhjet e fundit parlamentare, duke theksuar se diaspora votoi për herë të parë nga jashtë Shqipërisë.

“Shqipëria është një kantier në transformim”

Duke folur për ndryshimet në vend, Rama e krahasoi Shqipërinë me një “kantier në transformim”.

Ai pranoi se procesi shoqërohet me vonesa dhe gabime, por tha se puna dhe transformimi po vazhdojnë.

“Nganjëherë zhurma bëhet shurdhuese, ka bezdi, ka vonesa, ka gabime që duhen korrigjuar, por rëndësi ka që kantieri është në punë, puna vazhdon, themelet janë të forta dhe hap pas hapi ngrehina e Shqipërisë së re po merr formë dhe kuptim”, u shpreh Rama.

Kryeministri iu drejtua diasporës duke e cilësuar atë si “supervizore” të ndryshimeve në Shqipëri.

Rama për protestat e flamingos në Zvërnec

Një tjetër pjesë e fjalimit iu kushtua protestave për mbrojtjen e flamingos në Zvërnec.

Rama e cilësoi këtë protestë si një tregues të ndryshimit të shoqërisë shqiptare dhe të rritjes së kërkesës për standarde më të larta.

“Flamingoja u bë figura më popullore e Shqipërisë dhe e ktheu vendin në një adresë botërore të debatit për natyrën, zhvillimin dhe turizmin”, tha Rama.

Sipas kryeministrit, përtej vetë çështjes së flamingos, protesta tregoi se shqiptarët nuk kënaqen më me idenë se “ka edhe më keq”, por kërkojnë që gjërat të bëhen më mirë.

Turizmi dhe objektivi për BE-në në vitin 2030

Në vijim të fjalës së tij, Rama foli edhe për turizmin dhe integrimin europian.

Sipas kryeministrit, Shqipëria ka arritur në 12 milionë vizitorë në vit, ndërsa aeroporti i Tiranës, sipas tij, ka shënuar për të pestin vit radhazi rritjen më të madhe të trafikut në rajon.

Rama deklaroi gjithashtu se Shqipëria ka hyrë në një fazë të re të negociatave me Bashkimin Europian dhe se objektivi i qeverisë është që vendi të bëhet anëtar i BE-së në vitin 2030.

“Shqipëria që sot është në fazën që pasi ka hapur negociatat për anëtarësim po fillon të hyjë në fazën e mbylljes me synimin që në vitin 2030 të mbarojë e gjithë historia e gjatë e përpjekjes për t’u bashkuar me Europën”, deklaroi Rama.

Në takimin me komunitetin shqiptar në Michigan, kryeministri njoftoi gjithashtu se qeveria synon hapjen e një konsullate shqiptare në këtë shtet, për t’u shërbyer shqiptarëve në zonën e veriut të SHBA-së.

Lexo edhe:

Haga dënoi me 81 vite ish-krerët e UÇK, Rama nga SHBA: Marre ndërkombëtare, 4 burra u varrosën për së gjalli!

Vizita në SHBA, Rama me diasporën në Michigan: S’jemi më vend mbijetese, por shprese! Objektivi ynë, BE në 2030

Reklame