Kryeministri Edi Rama deklaroi gjatë pjesëmarrjes në Samitin e Javës së Zhvillimit të Qëndrueshëm në Abu Dhabi se Shqipëria synon që deri në fund të vitit 2028 të arrijë sovranitet të plotë energjetik, duke eliminuar çdo nevojë për import energjie nga jashtë.
Rama u shpreh se vendi është ndër pak vendet që prodhon 100% të energjisë nga burime të rinovueshme, kryesisht hidroenergjia, por kjo e bën energjinë të varur nga kushtet klimatike.
“Ne jemi më fat, sepse kemi burime hidrike dhe jemi 100% me energji të ripërtëritshme. Nuk përdorim karburante fosile, por duke qenë se mbështetemi tek uji, varemi nga humori i Allahut. Kur Allahu qesh shumë dhe nuk ka shi, jemi të detyruar të importojmë energji”, deklaroi Rama.
Kryeministri shtoi se në dekadën e fundit janë investuar masivisht energjia diellore dhe ajo e erës, duke krijuar një portofol të ekuilibruar burimesh, për të shmangur importin dhe për të garantuar sovranitetin energjetik.
Rama prezantoi gjithashtu një projekt strategjik energjetik, në bashkëpunim me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Italinë, për ndërtimin e një baze të ngarkesës energjetike në Shqipëri dhe lidhjen me Evropën përmes një kablli ndërlidhës me Italinë.
“Ambicia jonë është të krijojmë një bazë të ngarkesës në Shqipëri dhe të mbërrijmë në tre diga përmes kabllit ndërlidhës me Italinë, për të shërbyer Evropës me energji të gjelbër. Projekti ka një vlerë mbi 1 miliardë euro dhe synon të kthehet në fitim për të gjithë partnerët”, tha Rama.
Ai shtoi se kjo iniciativë është një model bashkëpunimi strategjik ndërkombëtar, që mund të shërbejë si shembull për zhvillimin e energjisë së gjelbër dhe investimeve të mëdha rajonale.
Kryeministri nënvizoi se plani po ecën sipas parashikimeve dhe se në fund të vitit 2028 Shqipëria do të jetë plotësisht e pavarur energjetikisht, duke u bazuar mbi energjinë e rinovueshme dhe projekte strategjike me partnerë ndërkombëtarë.















