Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj kritikave për mungesën e një deklarate të tij personale lidhur me deklaratën e ministres serbe Snezhana Paunoviç, e cila tha se, po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviçit në vitin 1998, do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama theksoi se Qeveria e Shqipërisë ka reaguar zyrtarisht përmes Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, duke e cilësuar këtë si mënyrën e duhur të veprimit për një shtet që respekton institucionet e veta.

Reklame

“Ne kemi reaguar përmes ministrit të jashtëm, siç bën një shtet që ka respekt për veten dhe kush kërkon nga ne që të bëhemi kor histerik sa herë del një çyryk në Beograd e flet përçart, ka ngatërruar adresë”, shkruan Rama.

Kryeministri kritikoi edhe ata që, sipas tij, kërkojnë reagime individuale për çdo deklaratë provokuese që vjen nga Serbia, duke shtuar se kjo nuk është mënyra se si duhet të sillet një shtet.

Deklarata e Ramës vjen pasi lideri i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzoi qeverinë për mungesë reagimi ndaj fjalëve të Paunoviç dhe kërkoi që ajo të shpallet “non grata” në Shqipëri. Të njëjtën kërkesë ngritën edhe deputetët Erald Kapri dhe Redi Muçi gjatë seancës parlamentare të së enjtes.

Ndërkohë, deklarata e ministres serbe ka shkaktuar reagime edhe në Serbi. Sipas deputetit shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, 53 deputetë të opozitës serbe kanë dorëzuar një kërkesë për shkarkimin e Snezhana Paunoviç nga posti i ministres së Administratës Publike.

Paunoviç deklaroi pak ditë më parë në një intervistë për “Kurir TV” se, nëse do të kishte qenë në vend të ish-presidentit Sllobodan Millosheviç gjatë luftës së vitit 1998, do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën. Deklarata u dënua nga autoritetet shqiptare përmes Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe ka ngjallur reagime të forta në Shqipëri, Kosovë dhe Serbi.

Tha se do ta kishte spastruar etnikisht/ Kosova shpall non grata ministren serbe Snezhana Paunoviç

Rama hesht për deklaratën skandaloze të ministres serbe/ Berisha: Të shpallet non grata

Reklame