Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj deklaratës së Ministrisë së Jashtme të Greece për ngjarjet e ndodhura në Zvërnec, ku një shtetas grek mbeti i lënduar gjatë protestës kundër projektit turistik në zonë.

Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar socialist, Rama tha se ishte habitur nga formulimi i përdorur në reagimin zyrtar grek, ku personi i lënduar u përshkrua si pjesë e minoritetit grek dhe u përmend termi “popullsi homogjene greke”.

Reklame

“Për herë të parë dëgjova që paska popullsi homogjene greke. Këtë nuk e kisha dëgjuar ndonjëherë”, u shpreh kryeministri.

Rama theksoi se incidenti në Zvërnec nuk përbën një akt dhune shtetërore, por një rast të ushtrimit të dhunës nga persona të lidhur me kompani private sigurie, duke e dalluar atë nga rastet e dhunës ndaj emigrantëve shqiptarë që, sipas tij, kanë ndodhur ndër vite në Greqi.

Sipas kreut të qeverisë, ngritja e çështjes në nivel diplomatik dhe vënia në dukje e përkatësisë etnike të protestuesit të lënduar nuk i shërben marrëdhënieve mes dy vendeve, të cilat ai i cilësoi si në një nga periudhat më të mira të tyre.

Kryeministri u ndal edhe te debati për pronësinë e tokave në Zvërnec, duke deklaruar se pretendimet e ndryshme për pronat duhet të zgjidhen në gjykata dhe jo në rrugë.

“Titujt e pronësisë janë baza e çdo veprimtarie dhe jo pretendimet”, tha Rama, duke sjellë si shembull edhe rastin e investimeve në zonën e Rrjollit, ku sipas tij toka ishte blerë nga pronarë që dispononin dokumentacion të rregullt.

Deklaratat e Ramës vijnë në kulmin e debatit për projektin turistik në Zvërnec, ndërsa protesta e fundjavës, hetimet e SPAK për çështjet e pronësisë dhe reagimet ndërkombëtare kanë rritur tensionin politik dhe publik rreth investimit të planifikuar në zonë.

Reklame