Këshilli i Ministrave ka miratuar këtë të mërkurë disa ndryshime dhe shtesa në rregulloren e Gardës së Republikës së Shqipërisë, përmes një vendimi të firmosur nga kryeministri Edi Rama.
Ndryshimet prekin nenin 158 të rregullores së miratuar në vitin 2021 dhe kanë të bëjnë kryesisht me sjelljen, angazhimin politik dhe të drejtat e punonjësve të Gardës.
Sipas vendimit të ri, efektivëve të Gardës u ndalohet të mbështesin fushata politike, të kontribuojnë fizikisht apo financiarisht për parti, kandidatë apo organizata politike, si dhe të shprehin publikisht bindjet ose preferencat e tyre politike.
Po ashtu, rregullorja parashikon se punonjësit e Gardës nuk mund të marrin pjesë në mbledhje apo tubime të partive dhe organizatave politike, edhe kur nuk janë në shërbim.
Një tjetër ndryshim i rëndësishëm lidhet me ndalimin e kandidimit apo zgjedhjes në funksione politike pa hequr dorë më parë nga detyra në Gardën e Republikës.
Në vendim është shtuar edhe e drejta e efektivëve për t’u organizuar në sindikata, me qëllim mbrojtjen e interesave profesionale dhe të drejtave të tyre sipas legjislacionit në fuqi.
Rregullorja e re ndalon gjithashtu çdo veprimtari politike apo aktivitet që mund të krijojë konflikt interesi ose të japë përshtypjen se një punonjës i Gardës është i njëanshëm apo i ndikuar politikisht.
Vendimi ngarkon Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Gardën e Republikës për zbatimin e tij, ndërsa hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.
VENDIM
PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.777, DATË 15.12.2021, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E RREGULLORES SË GARDËS SË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 70, të ligjit nr.33/2021, “Për Gardën e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
I. Në pikën 13, të nenit 158, të rregullores, që i bashkëlidhet vendimit nr.777, datë 15.12.2021, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Fjalët “… së përditshme duhet të zbatojë normat e sjelljes …” zëvendësohen me “… së tij, zbaton rregullat …”.
2. Shkronja “dh” ndryshohet, si më poshtë vijon:
“dh) të mos mbështesë fushatën e një partie, organizate politike, të një anëtari të një partie politike apo të një kandidati të pavarur, duke marrë pjesë ose duke kontribuuar fizikisht ose financiarisht, dhe të mos shprehë publikisht bindje apo preferenca politike. Punonjësit të Gardës i ndalohet të marrë pjesë, edhe nëse nuk është në shërbim, në mbledhje e në tubime të partive, të shoqatave dhe të organizatave politike.”.
3. Pas shkronjës “e” shtohen shkronjat “ë”, “f” dhe “g”, me këtë përmbajtje:
“ë) Ka të drejtë të organizohet në sindikata për të mbrojtur interesat e tij profesionalë dhe të drejtat e përcaktuara në legjislacionin në fuqi;
f) Të mos kandidojë dhe të mos zgjidhet, pa hequr dorë më parë nga detyra, në funksione politike;
g) Të mos kryejë veprimtari politike, pavarësisht nëse veprimtaria kryhet në bashkëpunim me ndonjë parti politike ose jo, si dhe të mos kryejë veprimtari, që përbën konflikt interesi apo që mund të krijojë përshtypjen se punonjësi i Gardës së Republikës është i njëanshëm dhe i ndikuar.”.
II. Ngarkohen Ministria e Punëve të Brendshme dhe Garda e Republikës së Shqipërisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.















