Teksa sot pritet të zhvillohet seanca plenare e Kuvendit, jashtë godinës është paralajmëruar një protestë qytetare nga banorë të Rrjollit në Velipojë dhe nga qytetarë që preken nga projekti TID Durrës.
Sipas njoftimit, rreth orës 09:00, ata do të mblidhen para Parlamentit për të kërkuar mbrojtjen e pronave të tyre, duke pretenduar se po përballen me shpronësime dhe cenim të të drejtave të pronësisë.
Bulevardi historik “Epidamn”, i njohur nga banorët si “Rruga Tregtare”, pjesë e qendrës së vjetër të Durrësit, pritet t’i nënshtrohet një projekti rijetëzimi në kuadër të nismës TID Durrës.
Projekti realizohet përmes një marrëveshjeje bashkëpunimi mes Fondit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit, Ministrisë së Kulturës dhe Bashkisë së Durrësit.
Megjithatë, disa pronarë shprehen se plani parashikon prekjen e dhjetëra pronave private dhe shpronësim me vlera, që sipas tyre, janë nën çmimin real të tregut.
Ndërkohë, banorët e fshatit Rrjoll kundërshtojnë ndërtimin e një resorti turistik në zonë, duke pretenduar se pronat e tyre janë tjetërsuar në mënyrë të padrejtë.
Ata kanë depozituar një kërkesë zyrtare pranë Prokurorisë, ku kërkojnë verifikim të dokumentacionit të pronësisë dhe një zgjidhje ligjore për situatën.
Gjatë protestave të mëparshme, banorët kanë artikuluar thirrje si:
“Tokat tona nuk i dorëzojmë” dhe “Duam drejtësi”.
Sot, ata pritet ta çojnë zërin e tyre para Kuvendit, duke kërkuar ndërhyrje institucionale për çështjet e pronësisë që i prekin drejtpërdrejt.














