Banorët e disa fshatrave të zonës naftëmbajtëse kanë protestuar sërish para ambienteve të kompanisë “Bankers Petroleum”, duke kërkuar pagesën e qirave të prapambetura për tokat e tyre.
Në protestë kanë marrë pjesë banorë të Belinës, Marinëzës, Kallmit, Sheqishtës dhe Zharrëzës, të cilët pretendojnë se pagesat e qirave nuk janë kryer që prej muajit mars.
Protesta është shoqëruar me tensione, pasi disa përfaqësues të banorëve janë lejuar të hyjnë në ambientet e kompanisë për të paraqitur kërkesat, ndërsa pjesa tjetër e protestuesve është ndaluar në hyrje nga forcat e Policisë.
Banorët kanë kërkuar të futen edhe ata brenda ambienteve të kompanisë, duke shkaktuar debate dhe përplasje verbale me policinë.
Përveç pagesës së detyrimeve të prapambetura, protestuesit kërkojnë edhe respektimin e kontratave të qirasë, ndërsa kundërshtojnë uljen e çmimit të qirasë për tokat që përdoren nga kompania.
Banorët paralajmërojnë se protesta mund të përshkallëzohet nëse nuk marrin një zgjidhje konkrete dhe nuk u shlyhen detyrimet që, sipas tyre, u takojnë prej muajsh.
Lexo edhe:
Vjedhja miliona $/ Gjykata e Lartë dëmton dosjen “Bankers”, “kyç” telefonin-thesar të Leonidha Çobos














