Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, ka reaguar lidhur me përdorimin e simboleve të UÇK-së gjatë protestës kundër investimit në Zvërnec, duke e cilësuar të papranueshëm instrumentalizimin e luftës çlirimtare për qëllime politike.
Në një reagim në rrjetet sociale, Gucati shprehet se është fyese për dinjitetin e luftës së UÇK-së që në emër të saj të flasin apo të paraqiten individë dhe grupe që, sipas tij, kanë tentuar ndër vite të zbehin apo të ulin vlerën e saj.
“Është e papranueshme dhe fyese për dinjitetin e luftës sonë që në emër të UÇK-së të flasin dhe të paraqiten individë apo grupe që për vite me radhë kanë tentuar ta zbehin, ta devijojnë dhe t’ia ulin vlerën luftës sonë çlirimtare”, shkruan ai.
Gucati thekson se kauza e UÇK-së nuk duhet të përdoret për interesa politike apo partiake.
Sipas tij, lufta çlirimtare dhe simbolika e saj nuk mund të shërbejnë si instrument i axhendave të ditës.
“OVL e UÇK-së rithekson me përgjegjësi të plotë se kauza e UÇK-së nuk është dhe nuk mund të jetë instrument i asnjë agjende politike të ditës apo i interesave të ngushta personale e partiake”, thuhet në reagim.
Kreu i Organizatës së Veteranëve i bën thirrje organizatorëve të protestës në Tiranë që të garantojnë integritetin e tubimit dhe të mos lejojnë, sipas tij, manipulimin apo keqpërdorimin e emrit të veteranëve të UÇK-së.
“UÇK-ja është pjesë e historisë së lirisë dhe sakrificës së popullit tonë dhe duhet trajtuar me respekt, jo për përfitime politike”, përfundon reagimi i Gucatit.















