Presidenti i Kamerunit, 92-vjeçari Paul Biya, ka fituar një mandat të tetë radhazi, në një proces zgjedhor që ka ngjallur debate dhe kundërshti të gjerë. Sipas Këshillit Kushtetues, Biya mori 53.7% të votave, ndërsa udhëheqësi i opozitës, Issa Tchiroma Bakary, mori 35.2%.

Para shpalljes së rezultateve, Tchiroma Bakary – ish-aleat i Biyas – kishte deklaruar se ai ishte fitues i zgjedhjeve, por partia në pushtet Lëvizja Demokratike Popullore e Kamerunit (CPDM) hodhi poshtë pretendimin e tij.

Reklame

Zgjedhjet, të mbajtura më 12 tetor, shoqëroheshin me tensione të larta dhe dhunë. Në ditët e fundit të procesit zgjedhor, qindra mbështetës të Tchiroma Bakary sfiduan ndalimet për protesta dhe u përleshën me forcat e sigurisë në disa qytete, duke shkaktuar incidente të shumta.

Ky mandat e bën Biyan kreun e shtetit më të vjetër në botë që vazhdon të qeverisë aktivisht, ndërkohë që kritikat për procesin zgjedhor dhe mungesën e konkurrencës demokratike vazhdojnë të shtohen.

Reklame