Policia e Tiranës ka proceduar penalisht 15 shtetas në lidhje me protestën e zhvilluar në kryeqytet, duke i akuzuar për organizim dhe pjesëmarrje në manifestime të paligjshme, prishje të rendit dhe qetësisë publike, si dhe pengim të qarkullimit të mjeteve të transportit.
Sipas njoftimit zyrtar, nga veprimet hetimore ka rezultuar se tubimi, i cili ishte njoftuar të zhvillohej nga ora 19:00 deri në 22:00 në Sheshin “Skënderbej” dhe në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ka vijuar më pas në disa zona të tjera të kryeqytetit.
Sipas Policisë, protestuesit kanë lëvizur në Rrugën e Elbasanit, zonën e 9-Katësheve, ish-Bllok dhe në segmente të ndryshme të Unazës së Tiranës, ku është bllokuar qarkullimi i automjeteve.
Autoritetet pretendojnë se pjesëmarrësit kanë tejkaluar orarin dhe perimetrin e miratuar për zhvillimin e tubimit, duke shkaktuar pengesa në lëvizjen e mjeteve dhe shqetësime për rendin publik.
Në kuadër të procedimit penal, Policia ka sekuestruar një automjet dhe dy aparate celularë në cilësinë e provave materiale.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë, e cila do të vijojë me hetimet dhe veprimet e mëtejshme lidhur me rastin.
Ky është procedimi i parë penal i një numri kaq të madh pjesëmarrësish në protestat e zhvilluara së fundmi në Tiranë, ndërsa mbetet për t’u parë nëse Prokuroria do të ngrejë akuza konkrete ndaj personave të përfshirë.















